Policia e Korçës goditi dy raste të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit në lagjet nr. 8 dhe nr. 9 të qytetit.
Në kuadër të operacionit "Loja e fundit" dhe Planit të Masave për kontrollin e lojërave të palejuara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kryen kontrolle në disa lagje, bazuar në informacione operative.
Specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 43 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin" dhe "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara".
Materialet u referuan në Prokurorinë e Korçës, ku filloi procedimi penal për shtetasit G. A. dhe Gj. M., banues në Korçë.
Gjatë kontrollit në lokalin e 43-vjeçarit në lagjen nr. 8, në celularët e M. P. dhe G. A. u gjetën faqe për baste sportive. Gjithashtu, në celularin e Gj. M. në lagjen nr. 9 u konstatuan faqe të ngjashme.
Si provë materiale u sekuestruan 3 celularë. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.