Në kuadër të planit të masave për garantimin e sigurisë së nxënësve pranë institucioneve arsimore, shërbimet e Policisë së Tiranës zhvilluan operacionin e koduar “WEB page”. Gjatë monitorimit të territorit, autoritetet identifikuan dy subjekte në afërsi të shkollave, ku zhvillohej veprimtari e paligjshme e basteve sportive përmes pajisjeve celulare.
Në pranga janë vënë shtetasit Denis Gjoka, 24 vjeç, dhe Kastriot Çuka, 48 vjeç. Ndërkohë, ka nisur procedimi penal për shtetasin I. M., 54 vjeç, si dhe për një 17-vjeçar. Sipas njoftimit të policisë, në njërin prej lokaleve, i cili administrohej nga Kastriot Çuka, është kapur në flagrancë Denis Gjoka duke vendosur baste, ndërsa në të njëjtin ambient ndodhej edhe I. M., i dyshuar si i përfshirë në këtë aktivitet.
Në lokalin e dytë, shërbimet e policisë konstatuan 17-vjeçarin, i cili ishte i punësuar në këtë subjekt dhe ushtronte veprimtarinë e vënies së basteve sportive. Si provë materiale, policia sekuestroi 5 celularë me faqe aktive bastesh. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për ndjekjen e mëtejshme të rastit.
Përditësime
Policia e Shtetit ka zgjeruar operacionin kundër lojërave të fatit në kuadër të planit të masave për sigurinë e nxënësve gjatë fillimit të vitit të ri shkollor. Një rast i dytë është goditur në Koplik të Malësisë së Madhe, ku është arrestuar një person dhe janë sekuestruar 6 makineta lojërash fati.