Policia e Durrësit ka arrestuar 36-vjeçarin kosovar Egzon Qafleshi në flagrancë në lagjen nr. 13, zonë Plazh-Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Targat”.
I dyshuari lëvizte me një automjet tip Ford me targa të vjedhura në lagjen nr. 5 të Durrësit, në pronësi të shtetasit R. C.. Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti dhe sekuestroi në bagazh dy targa të një automjeti nga Kosova. Në sediljen e shoferit u gjetën edhe:
• një kaçavida;
• një pinca;
• një thikë;
• një palë doreza;
• një kapuç i ngjashëm me maskën.
Këto mjete dyshohen se përdoren për vjedhje. Nga hetimet ka rezultuar se Qafleshi është autor i vjedhjes së targave edhe në dy raste të tjera gjatë muajve të fundit në Durrës. Targat shqiptare dhe kosovare dyshohen se i shiste personave me precedent penal për kryerjen e krimeve kundër personit dhe pronës.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”. Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.