Shërbimet e Policisë së Maliqit arrestuan në flagrancë shtetasin Kristo Agolli, 40 vjeç, banues në fshatin Orman të Maliqit, pasi qëlloi me armë zjarri duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre. Ngjarja ndodhi më 16 mars 2026 dhe u raportua nga banorët.
Policia intervencoi menjëherë pas sinjalizimit, me mbështetjen e Forcës së Posaçme "Shqiponja". Ajo lokalizoi dhe neutralizoi Agollin, i cili ka precedente penale për vjedhje dhe prodhim si dhe shitje të narkotikëve. Në vendngjarje u sekuestrua arma e zjarrit tip kallashnikov bashkë me municion luftarak.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe sekuestruan fara kanabisi si dhe një aparat metalkërkues, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të hetimeve u arrestua edhe shtetasi grek Dimitrios Pentazidis, 48 vjeç, banues në Athinë, për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Ai ndodhej bashkë me Agollin gjatë ngjarjes. Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se greku kishte ardhur në banesën e shqiptarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i sjellë prej tij nga Greqia.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.