Shtetasi Kastriot Dyrmishi, 43 vjeç, është vënë në pranga nga Policia e Durrësit në kuadër të një operacioni për lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni, i koduar “Wanted 37”, u finalizua nga specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit pas një koordinimi të ngushtë informativ me homologët italianë dhe nëpërmjet Interpol Tiranës.
Dyrmishi, i cili përdorte gjithashtu mbiemrin Dermishi, u lokalizua dhe u kap nga shërbimet policore në lagjen nr. 17/1 të qytetit të Durrësit. Ndaj tij rëndon një vendim i formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Firence, e cila e ka dënuar me 14 vite burgim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Nga llogaritjet e autoriteteve, 43-vjeçarit i kanë mbetur ende për të vuajtur 12 vite, 9 muaj dhe 24 ditë burgim.
Aktualisht, Interpol Tirana po ndjek procedurat e nevojshme ligjore në bashkëpunim me autoritetet italiane për të mundësuar ekstradimin e tij drejt Italisë, ku ai do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit.