Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale finalizoi fazën e 87-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi F. Sh., 36 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë.
Shtetasi F. Sh. është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Gjakovës në Kosovë. Ai u dënua me vendimin e datës 14.03.2023 me 2 vjet burgim dhe 550 euro gjobë për veprat penale “Posedimi i paautorizuar, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, lëndëve psikotrope dhe substancave analoge” si dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”. I mbeten për të vuajtur 1 vit, 4 muaj e 10 ditë burgim.
Operacioni u zhvillua bazuar në informacionet operative të siguruar nga drejtoria. Shtetasi F. Sh. pritet të ekstradohet drejt Kosovës për vuajtjen e dënimit.
Përditësime
Policia e Shtetit publikoi pamje video nga arrestimi në Fushë Krujë të 36-vjeçarit të kërkuar nga Gjykata e Gjakovës për narkotike.