Një operacion i koduar "Wanted", i zhvilluar nga Forca e Posaçme "Shqiponja" në bashkëpunim me Interpol Tiranën, çoi në prangosjen e një shtetasi 32-vjeçar, banues në Kukës, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi u krye në Aeroportin e Rinasit pasi ndaj tij rëndonte një urdhër-arresti i lëshuar nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi në fjalë ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhër-arrest për veprën penale "Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve".
Gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë, 32-vjeçari ka tentuar t'i shmanget identifikimit dhe ndalimit duke u prezantuar me një identitet të ndryshëm nga ai i vërteti. Pas verifikimeve të kryera nga shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", personi u ndalua dhe tashmë Interpol Tirana ka nisur procedurat e nevojshme bashkëpunuese me autoritetet e Kosovës për ekstradimin e tij, me qëllim që i arrestuari të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura.
Përditësime
Policia e Shtetit bëri të ditur se ky arrestim u finalizua në kuadër të operacionit policor të koduar 'Wanted'. Aksioni u ndërmor nga autoritetet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.