Policia e Elbasanit arrestoi Valmir Polisin, 37 vjeç, në fshatin Pishkash, pasi ai fshihej në një zonë të thellë. Shtetasi tentoi të largohet sapo konstatoi praninë e shërbimeve policore, por u kap nga efektivët.
Valmir Polisi ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) me 9 vjet e 4 muaj burgim. Dënimi u shqiptua për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Nga ky dënim, atij i kishin mbetur për të vuajtur 4 vjet, 7 muaj e 18 ditë burgim. Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor Targeti, si rezultat i mirorganizimit të veprimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja.
Pas sigurimit, Valmir Polisi do t'i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Përditësime
Valmir Polisi, i dënuar nga GJKKO në 2024 në kuadër të operacionit 'Five' (ku 32 persona u dënuan me rreth 200 vite burg për 5 grupe kriminale), në maj 2024 kaloi në arrest shtëpiak pas skadimit të paraburgimit.
Hetimi i SPAK-ut identifikoi të paktën 13 episode të trafikut, prodhimit, shitjes dhe kultivimit të kanabisit në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Prrenjas (mars 2019–nëntor 2020).