Një 53-vjeçar, shtetas ukrainas i identifikuar si Anatolii Streletskyi (i njohur edhe me inicialet A.S.), është arrestuar në aeroportin e Rinasit sapo ka zbritur nga avioni. Shtetasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit, pasi akuzohet si anëtar i një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni për ndalimin e tij u realizua nga Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas. Arrestimi u bë i mundur pas një shkëmbimi të informacionit në kohë reale me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU, që operon pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Policia e Shtetit po vijon bashkëpunimin me agjencitë partnere ndërkombëtare për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të të ndaluarit. Ndërkohë, Interpol Tirana ka filluar procedurat zyrtare për ekstradimin e 53-vjeçarit drejt Ukrainës, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura.