Shtetasi ukrainas, Anatolii Streletskyi, është ndaluar nga autoritetet shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kievit. Operacioni u zhvillua pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës së SHBA, i arrestuari akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një organizate kriminale. Pas ndalimit, Interpol Tirana ka nisur procedurat e bashkëpunimit me homologët ukrainas për të mundësuar ekstradimin e tij drejt Ukrainës, ku do të përballet me drejtësinë.
Ambasada amerikane e ka vlerësuar këtë aksion si shembull të partneritetit për luftimin e krimit transnacional dhe rritjen e sigurisë së komuniteteve, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacioneve në kohë reale ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit.