Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin policor të koduar 'Wanted', duke vënë në pranga shtetasin Bruno Bushi, 33 vjeç, banues në fshatin Premal.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Mbretëria e Bashkuar për veprën penale 'shkelja e ligjit për lëndët narkotike', kryer në bashkëpunim. Gjykata e Magjistraturës në Westminster ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti.
Operacioni u zhvillua në vijim të informacioneve të siguruara në rrugë operative për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme 'Shqiponja', kanë organizuar dhe finalizuar veprimin.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë 'arrest në burg' me qëllim ekstradimin në Mbretërinë e Bashkuar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.