Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Shëtitësi”, i cili kishte për qëllim parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të pronës. Në pranga ka rënë shtetasi Fatos Arifi, 56 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i tij është bërë i mundur pas denoncimeve të shumta nga qytetarët dhe punës hetimore të strukturave policore. Autori u kap në flagrancë në lagjen “Liria”, në momentin kur po tentonte të kryente një tjetër vjedhje biçiklete.
Sipas hetimeve të deritanishme, 56-vjeçari dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të kryera më parë në qytetin e Shkodrës. Konkretisht, ai dyshohet se ka vjedhur një shumë parash brenda një automjeti taksi, si dhe dy biçikleta në zona të ndryshme të qytetit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.