Policia e Malit të Zi ka ndaluar 47-vjeçarin G.R., shtetas i Kosovës, i cili dyshohet për një sërë vjedhjesh të kryera në zonën e Plazhit të Madh dhe Plazhit të Vogël në Ulqin.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë malazeze, gjatë kontrollit në banesën që përdorte i dyshuari, efektivët gjetën një pjesë të sendeve të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, të cilat i përkisnin rasteve të raportuara më parë. Ndër sendet e gjetura përfshihen:
- Para
- Telefona celularë
- Çelësa automjetesh
- Biçikleta
- Pije alkoolike të shtrenjta
- Cigare dhe objekte të tjera personale
Përveç këtyre, policia sekuestroi edhe një pako me lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë.
Hetimet paraprake kanë konfirmuar se ndaj G.R. ishte lëshuar më herët një fletarrest lokal. Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar policor, u vërtetua se shtetasi kosovar është person i kërkuar nga autoritetet e zbatimit të ligjit në Kosovë për vepra të tjera penale. I dyshuari është ndaluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ulqin, ndërsa hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale janë në vijim.