Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur fazën e dytë të projektit për autostradën Tiranë-Durrës, pas përfundimit të punimeve për zgjerimin e aksit. Investimi përqendrohet në ndërtimin e 6 mbikalimeve për këmbësorët, të cilat do të pajisen me sistem ndriçimi, barriera akustike dhe gjelbërim të zonave përreth.
Sipas planit të ARRSH-së, mbikalimet do të vendosen në pika strategjike përgjatë kilometrave të parë:
- Pas objektit të VEKO Group
- Rreth 50 metra pas Universitetit Polis (në zonën e Yrshekut)
- Pak metra pas QTU-së
- Në afërsi të BRUNES
- Rreth 100 metra përpara objektit të FedEx Albania
- Pranë Autostar
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një inspektimi në terren, theksoi se projekti është thelbësor për garantimin e lëvizjes së sigurt të banorëve dhe reduktimin e rrezikut të aksidenteve në një nga akset me fluksin më të lartë të qarkullimit në vend. Afati i përcaktuar për mbylljen e procedurës së tenderimit është data 15 qershor. Synimi i autoriteteve është që ndërhyrjet të kenë përfunduar brenda muajit shtator, duke siguruar funksionalitetin e tyre me nisjen e vitit të ri shkollor.
Përditësime
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka zgjeruar projektin për rehabilitimin e aksit nga ish-sheshi “Shqiponja” deri te nënkalimi i Limuthit. Ministri Blendi Gonxhja konfirmoi se kontrata e re përfshin ndërtimin e 6 mbikalimeve në kilometrat: 00+430, 1+645, 2+472, 3+537, 4+268 dhe 4+934. Ndërhyrjet shtesë përfshijnë gjithashtu riveshjen e tuneleve, rehabilitimin e shtresave asfaltike, zëvendësimin e barrierave të betonit dhe përmirësimin e rrugëve dytësore përgjatë gjithë gjurmës së projektit.