Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, deklaroi se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, meriton një proces gjyqësor të drejtë, por kjo nuk ka ndodhur deri tani.
Sipas Hoxhës, procedurat ndaj Veliajt kanë qenë problematike që nga fillimi, duke përfshirë kallëzimin, ngritjen e akuzave, shoqërimin dhe arrestimin. Ai e cilësoi paradoksale izolimin e një kryetari bashkie, në sfond të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Hoxha theksoi se kryeministri rreh gjoksin për reformën në drejtësi si arritje të pazakontë, por ajo që ka bërë do t’i bjerë në kokë.
Hoxha ngriti pikëpyetje për procesin e vetingut dhe emërimin e prokurorit Olsi Dado të SPAK-ut. Ai pyeti se si Dado u bë prokuror me vetëm një propozim nga Prokurorja e Përgjithshme në Presidencë, u kalua në SPAK dhe vendosi “gjithë shtetin para”. Sipas tij, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto procese, duke sfiduar rolin e strukturave të vetingut dhe monitoruesve të reformës në drejtësi.
Hoxha raportoi se kishte qenë në gjykatë atë ditë dhe kamerat nuk lejoheshin të hyjnë brenda, duke theksuar mungesën e transparencës.