Shkurte Fejza, Ylli Limani, Mozzik dhe qindra artistë të tjerë nga Kosova kanë shprehur mbështetje publike për marshin qytetar Drejtësi, jo politikë, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Ky marsh organizohet nga platforma Liria ka Emër në mbrojtje të çlirimtarëve të Kosovës, të cilët po përballen me një proces gjyqësor në Hagë. Artistët kanë postuar video-adresime dhe mesazhe publike, duke ftuar qytetarët të bashkohen për të theksuar unitetin, drejtësinë dhe respektimin e vlerave të luftës çlirimtare.
Ndër artistët mbështetës janë:
- Gold AG
- Visar Peja
- Majkaveli
- Mar1n
- DJ Dagz
- Bllekibllek
- Alban Sejdiu
- Taulant Bajraliu
- Edi Kastrati
- Gresa Behluli
- Veli Sahiti
Si dhe trupa artistike nga qytete të ndryshme të Kosovës. Mbështetja e tyre i jep marshit një dimension shoqëror dhe kulturor të gjerë.
Në njoftimin për media thuhet se marshi pritet të shndërrohet në mobilizimin më të madh qytetar në Kosovë, duke bashkuar qytetarë nga të gjitha komunat, diasporën, familjet e dëshmorëve, të rinjtë, artistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Kësaj kauze po i bashkohen edhe kategori të tjera shoqërore, duke e bërë atë gjithëpërfshirëse në mbrojtje të drejtësisë dhe së vërtetës historike.
Përditësime
Naim Abazi dhe Mihrije Braha shprehën mbështetje për marshin "Drejtësi, jo politikë" në një video në rrjetet sociale.
Abazi ftoi qytetarët të mbushin Sheshin Skënderbej më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë:
"Më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, ftoj të gjithë të vegjël e të mëdhenj të dalim në sheshe për lirinë tonë dhe për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Le të mbushen sheshet e Kosovës me njerëz që duan lirinë," tha ai.
Artistët Shkëlzen Jetishi, Sabri Fejzullahu, Gashi, dhe Arif Vladi shprehën mbështetje publike për marshin "Drejtësi, jo politikë" në Prishtinë. Era Istrefi është mbështetëse e mëparshme.