Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Himarë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme në 6 zona kadastrale. Marrëveshja u nënshkrua në prani të kryebashkiakut Vangjel Tavo dhe drejtoreshes së përgjithshme të ASHK-së, Lorena Goxhobelli.
Ky proces garanton sigurinë juridike të pronës dhe krijon një regjistër kadastral të saktë, bazë për zhvillimin ekonomik, investimet dhe planifikimin e territorit. Në Bashkinë Himarë, territori është i organizuar në 24 zona kadastrale, nga të cilat 15 kanë regjistrim fillestar të përfunduar, ndërsa 3 zona ndodhen në fazën përfundimtare.
Me këtë marrëveshje, puna do të nisë për 6 zona të tjera, duke afruar bashkinë drejt përmbylljes së plotë të procesit kadastral. Lorena Goxhobelli theksoi: "Ne kemi një objektiv shumë të qartë: përmbylljen e procesit të regjistrimit fillestar në të gjithë territorin e Shqipërisë brenda vitit 2027".
Ajo shtoi se ky bashkëpunim do të mundësojë për qytetarët pajisjen me dokumentacion të rregullt pronësie. Autoritetet vlerësuan bashkëpunimin institucional si element kyç për përshpejtimin e administrimit të pronës dhe sigurimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.
Procesi pritet të rrisë transparencën dhe sigurinë për pronarët, duke lehtësuar planifikimin urban dhe zhvillimin ekonomik në Himarë.