Votimi paraprak i zhvilluar të premten, më 16 tetor, për përzgjedhjen e sekretarit të ardhshëm të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) tregoi se asnjëri nga shtatë kandidatët nuk ka mbështetjen e të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të cilët kanë të drejtën e vetos. Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca janë pesë anëtarët e përhershëm. Gara është për pasardhësin e António Guterresit, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor 2026, pas dhjetë vjetësh në krye të organizatës.
Në votimin joformal, 15 anëtarët e Këshillit shprehën nëse i “inkurajonin” apo i “shkurajonin” kandidatët, ose nëse nuk kishin mendim. Për herë të parë në proces u përdorën fletëvotime me ngjyra të ndryshme për të dalluar votat e pesë anëtarëve të përhershëm. Sipas dy diplomatëve që folën për Associated Press në kushte anonimiteti, Rebeca Grynspan nga Kosta Rika, Rafael Grossi nga Argjentina dhe Carolyn Rodrigues Birkett nga Guajana morën secili nga dy vota kundërshtuese prej anëtarëve të përhershëm.
Grynspan, ish-zëvendëspresidente e Kosta Rikës dhe drejtuese e agjencisë së OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin, mori nëntë vota mbështetëse dhe mbeti në krye të renditjes. Dy kandidatët nga Afrika, ish-diplomati i OKB-së Olara Otunnu nga Uganda dhe ish-presidenti i Senegalit Macky Sall, morën secili nga dhjetë vota kundërshtuese. Në fund të renditjes ishin dy kandidate nga Ekuadori: Maria Fernanda Espinosa, ish-presidente e Asamblesë së Përgjithshme dhe ish-ministre e Jashtme, si dhe Ivonne A-Baki, ish-ambasadore e vendit.
Zyrtarë amerikanë kanë thënë se administrata e presidentit Donald Trump nuk e konsideron asnjërin prej kandidatëve zgjedhje ideale, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbështetjes së njërit prej tyre. Sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti, qëndrimi i Uashingtonit është ende duke u përpunuar. Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, tha se organizatës i duhet udhëheqje e fortë dhe energjike, e përqendruar te paqja dhe siguria. Ai tha se administrata synon ta përqendrojë OKB-në te këto fusha dhe përmendi reformimin e organizatës, si dhe tërheqjen e SHBA-së nga disa agjenci të saj.
Sipas traditës së rotacionit rajonal, radha i takon Amerikës Latine. Ka gjithashtu kërkesa që sekretari i ardhshëm të jetë grua, çka do ta bënte atë të parën në këtë post. Waltz tha se SHBA-ja do ta mirëpriste një kandidate nëse ajo do të ishte zgjedhja më e mirë, por se për vendin e tij përparësi ka kandidati më i përshtatshëm.
Votimi i ardhshëm paraprak pritet të mbahet javën e ardhshme. Përfaqësuesit amerikanë dhe rusë kanë lënë të hapur mundësinë e paraqitjes së kandidatëve të rinj.