Një autobus dykatësh i Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) “Shkupi”, i cili qarkullon në linjën 25 deri në Vodno, është përfshirë nga zjarri ditën e sotme. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë ekipet e zjarrfikësve të Shkupit për të izoluar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe se nuk ekziston rrezik që zjarri të përhapet në bimësinë përreth. Ndërkohë, drejtori i NTP “Shkupi”, Sashe Ilievski, ka bërë të ditur për Sdk.mk se, sipas informacioneve fillestare, në mjet nuk kishte pasagjerë në momentin kur ka rënë zjarri.
Nga NTP “Shkupi” është vlerësuar reagimi i shoferit, i cili me gjakftohtësi dhe veprime të shpejta ka parandaluar pasoja më të rënda ose dëme materiale më të mëdha. Shërbimet kompetente kanë nisur tashmë kontrollet për të përcaktuar shkaqet e sakta të këtij incidenti. Ky rast pason një seri të ngjashme problemesh me mjetet e transportit publik në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar të paktën tetë incidente, në disa prej të cilave autobusët janë dëmtuar rëndë ose janë djegur plotësisht.
Përditësime
Brigada e Zjarrfikësve të Shkupit angazhoi shtatë zjarrfikës dhe dy automjete për shuarjen e flakëve në afërsi të pikës së vëzhgimit të Vodnos së Mesme. Paralelisht me këtë incident, autoritetet raportuan edhe djegien e një veture në afërsi të qendrës tregtare Mavrovasja.