Autopsia e kryer mbi trupin e 25-vjeçarit Kevin Muharremi, shqiptar i vrarë natën e Shën Valentinit në Itali, ka zbuluar se ai u godit nga më shumë se një plumb i armës Beretta 7.65. Një plumb fatal e goditi në zonën e qafës, ku u gjet edhe predha. Ekspertiza përfundimtare pritet brenda 60 ditëve për të përcaktuar saktësisht plagën vdekjeprurëse dhe për të ndihmuar në rindërtimin e ngjarjes.
Konflikti mes dy grupeve rinjsh nisi në një pub në Montopoli me debat verbal, kaloi në përplasje fizike dhe përfundoi me të shtëna në Montecalvoli. Sipas mediave italiane, ngjarja buron nga një konflikt i mëparshëm mes grupeve.
Për vrasjen u arrestua 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, i cili ndodhet në paraburgim si autor. Gjatë pyetjes nga prokuroria dhe policia gjyqësore, ai pranoi se ka qëlluar ndaj viktimës. Dyshohet se ka shtënë ndërsa drejtonte një Range Rover Evoque, me të cilin u ndalua nga policia pak orë pas ngjarjes.
Një 18-vjeçar hetohet në gjendje të lirë për bashkëpunim në vrasje. Ai deklaroi se nuk kishte dijeni për armën e shokut dhe mohoi çdo përfshirje.
Hetimet vazhdojnë me analizën e dëshmive dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë për të zbardhur plotësisht rrethanat.