Indrit Sefa, avokat i ftuar në emisionin Off the Record të moderuar nga Andrea Danglli në A2CNN, e cilësoi kërkesën e Partisë Demokratike për qeveri teknike si amnisti për kryeministrin Edi Rama.
Ai theksoi se kjo i jep Ramës frymëmarrje dhe lejon qytetarët ta harrojnë për një vit. "Si do sulmosh ti Edi Ramën kur e ke partner në qeverisje?! Ky para se të vija unë do thuash ka qenë i korruptuar, por tani nuk është më", u shpreh Sefa.
Sefa vlerësoi se mazhoranca ndodhet në pikën më të ulët dhe në situatë alarmante, por diskutoi nëse PD-ja është alternativë me Sali Berishën në krye. "Sot a është alternativë? Kjo mbetet për t’u diskutuar", tha ai, duke përmendur rezultatin e zgjedhjeve të fundit ku PD mori 510 mijë vota, ndërsa 230 mijë qytetarë mbetën pa votuar krahasuar me zgjedhjet e 2023-shit në 2025-ën.
Avokati theksoi se zgjedhjet zhvillohen midis dy alternativash dhe qytetarët shohin dy kandidatë për kryeministër. Opozita duhet të përgatitet për zgjedhje, jo për qeveri teknike, dhe të bëhet realisht alternativë për qytetarët shqiptarë.