Avokati Rinor Bajrami, përfaqësues i drejtorit H.B. të SHFMU “Pavarësia” në Prishtinë, ka dhënë sqarime në lidhje me incidentin e 9 shkurtit 2026, ku drejtori shihet në video duke goditur nxënësit A.O..
Sipas avokatit, drejtori kishte paraqitur kallëzim penal ndaj nxënësit më 5 shkurt 2026 për kanosje me vrasje, si dhe sharje e fyerje të rënda ndaj tij dhe familjes së tij. Organet e rendit ishin njoftuar për situatën disa ditë para publikimit të videos.
Më 9 shkurt 2026, nxënësi përsëri e ka sharë drejtorin dhe familjen e tij, duke përfshirë fyerje të rënda ndaj vajzës së tij dy vjeç e gjysmë, si dhe kanosje të drejtpërdrejtë për jetën. Reagimi i drejtorit ka ndodhur në ato rrethana konkrete, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kanosjes. Menjëherë pas incidentit, drejtori vetë ka ftuar policinë dhe ka raportuar ngjarjen.
Prokuroria Themelore në Prishtinë të enjten njoftoi se ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit, pasi ai u pa në video duke e goditur nxënësit të përfshirë në një konflikt fizik të mëparshëm me një mësimdhënës. Avokati thekson se përgjegjësia penale e klientit të tij duhet të vlerësohet në kontekstin e plotë faktik e juridik, duke mos u shkëputur nga rrethanat paraprake.
Në këtë kontekst, psikologu i shkollës Nazim Mahmuti ka thënë se 10 nxënës kishin shkuar në sallën e mësimdhënësit dhe e kishin sulmuar fizikisht atë.