Rrjeti i organizatave AVONET ka reaguar ashpër lidhur me mungesën e ditarëve shkollorë në institucionet arsimore të Republikës së Kosovës, duke theksuar se kjo vonesë ka vazhduar edhe në ditën e katërt pas fillimit të vitit të ri shkollor. Sipas organizatës, ditari shkollor është një mjet elementar për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e procesit mësimor, ndaj mungesa e tij për mësimdhënësit konsiderohet e papranueshme.
Në reagimin e saj, AVONET e cilëson këtë situatë si tregues të një dështimi në planifikimin dhe koordinimin institucional. Organizata vlerëson se mungesa e ditarëve nuk mund të trajtohet si një vonesë e thjeshtë administrative, pasi ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e procesit mësimor. AVONET shprehet se është e pakuptimtë që të flitet për reforma të thella, digjitalizim dhe modernizim të sistemit arsimor në vend, ndërkohë që shkollat përballen me mungesën e mjeteve më themelore të punës.
Organizata i ka drejtuar një sërë kërkesash drejt Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), duke insistuar në:
• Sqarimin publik për arsyet e mosshpërndarjes së ditarëve para fillimit të mësimit;
• Raportimin mbi masat e ndërmarra për furnizimin e shkollave;
• Përcaktimin e një afati konkret kur të gjitha institucionet do të pajisen me to;
• Identifikimin e përgjegjësisë institucionale për këtë vonesë.
AVONET thekson se nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit meritojnë institucione të përgjegjshme që i përmbushin detyrimet në kohë. Për më tepër, organizata ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë situatën deri në adresimin e plotë të kësaj problematike.