Rikardo Mërkuri, 20-vjeçar me origjinë shqiptare rezident në Pollenza të Italisë, u mbyt në ujërat e portit të Civitanovës më 22 shkurt. Ngjarja ndodhi pak orë pasi familja kishte festuar ditëlindjen e tij me një darkë të përbashkët.
Sipas dëshmisë së babait Mario Mërkuri për mediat italiane, pas largimit të tij nga shtëpia shpërtheu një debat i ashpër mes djalit dhe nënës Albana Kastriot. Sherri përfundoi me agresion fizik nga ana e të riut. Bashkëshorti e gjeti gruan e shtrirë pa ndjenja në banjë, me dëmtime të rënda në fytyrë.
Mario Mërkuri deklaroi se djali i tij ndërmori aktin fatal sepse besonte se kishte shkaktuar vdekjen e nënës. “Ka menduar se nëna kishte vdekur dhe e bëri atë gjest. Ishte i vendosur”, tha ai. Babai theksoi se nëna e donte djalin në mënyrë të veçantë dhe e mbronte gjithmonë, edhe kur ai gabonte.
Albana Kastriot u dërgua fillimisht në spitalin e Maceratës dhe më pas u transferua në spitalin rajonal të Torrettes në Ankonë, ku pritet të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale maksilofaciale. Sipas bashkëshortit, gjendja e saj është përmirësuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Trupi i Rikardo Mërkurit qëndron në morgun e spitalit të Civitanovës që nga e diela. Familja, e vendosur prej vitesh në Pollenza, përbëhet nga prindërit, vëllai i madh Alessio dhe gjyshja Bedrie. Babai përmendi se kishte pasur debate të mëparshme mes nënës dhe djalit, por asnjëra nuk parashikonte një përfundim të tillë.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa komuniteti lokal është prekur nga kjo tragjedi.
Përditësime
Babai i 20-vjeçarit shqiptar deklaroi: "E ëma e donte marrëzisht. Edhe kur kishte gabim, ajo gjithmonë e mbronte".