Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Rivabellës në Rimini të Italisë, ku 59-vjeçari Saim Myrtaj ka ndërruar jetë si pasojë e një rënieje nga skela e një kantieri ndërtimi. Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:30 të së hënës, gjatë punimeve për mirëmbajtjen e një pallati dykatësh në Via Coletti.
Sipas rindërtimit paraprak, viktima ndodhej në nivelin e dytë të skelës kur dyshohet se ka rrëshqitur ose ka rënë përmes një hapësire të dedikuar për kalimin e shkallëve, duke përfunduar në tarracën e një apartamenti në katin e parë. Alarmi për ndihmë u dha nga një banor i zonës që dëgjoi zhurmën e përplasjes.
Prokuroria e Riminit ka hapur një hetim zyrtar për vrasje nga pakujdesia ndaj personave ende të paidentifikuar. Në kuadër të zbardhjes së rrethanave, autoritetet kanë vendosur nën sekuestro skelën, duke kontrolluar elementet mbrojtëse dhe pajisjet e punës. Gjithashtu, është marrë në pyetje punëdhënësi i viktimës, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes, për të zbuluar nëse 59-vjeçari pësoi ndonjë problem shëndetësor para rënies apo nëse kishte shkelje të rregullave të sigurisë në kantier.
Saim Myrtaj, i cili ishte vendosur në Itali në fillim të viteve 2000, punonte si murator dhe artizan i pavarur. Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë. Ngjarja ka shkaktuar dhimbje në komunitetin shqiptar, me shoqatën “Agimi Rimini” që ka shprehur ngushëllime për familjen.