Banorët e prekur nga zjarri në kompleksin Arlis, të vendosur në zonën e Farmacisë 10 pranë QSUT, kanë nënshkruar më 18 prill 2026 një peticion me 10 kërkesa urgjente drejtuar autoriteteve dhe kompanisë ndërtuese.
Kërkesat fokusohen në sigurinë e ndërtesës dhe dëmshpërblimin e banorëve. Ato përfshijnë:
• Ekspertizë të pavarur dhe të detajuar teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese në fasadë.
• Zëvendësimin e menjëhershëm të materialeve të rrezikshme me ato të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit sipas standardeve europiane.
• Audit të plotë të sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, duke përfshirë sistemet e alarmit, pajisjet e fikjes dhe rrugët e evakuimit.
• Transparencë nga kompania ndërtuese mbi materialet e përdorura dhe kontrollin e cilësisë gjatë ndërtimit.
• Përgjegjësi ligjore dhe administrative në rast neglisheje ose shkeljeje të standardeve të sigurisë, përfshirë mos certifikimin e impianteve elektrike.
• Zhdëmtimin e të gjithë banorëve dhe bizneseve të dëmtuara.
• Formalizimin e kontratave të porosisë pranë noterit.
• Rikthimin e apartamenteve në gjendjen e mëparshme sipas kontratave.
• Sigurimin e strehimit dhe mbulimin e shpenzimeve të qirasë për banorët e dëmtuar.
• Pajisjen e kompleksit me hidrantë dhe sisteme fikjeje zjarri funksionale, pasi ato kanë qenë jashtë përdorimi.
Banorët theksojnë nevojën për zbatim të normave europiane të sigurisë EN në instalimet e ujit, energjisë elektrike, gazit dhe ashensorëve, duke kërkuar certifikata sigurie dhe garancie. Ata propozojnë gjithashtu një projektligj për detyrimin e këtyre kontrolleve në të gjithë vendin.