Policia e Vlorës ka vendosur shiritin e sigurisë në të dy krahët e rrugës Matogjin-Bashaj pas tentativës së banorëve për ta hapur vetë atë.
Ngjarja ndodhi gjatë ditës së sotme, kur banorët e zonave Bashaj dhe Matogjin u përpoqën të kryenin punimet vetë në rrugën e bllokuar. Sipas autoriteteve, ky veprim është tejet i rrezikshëm për shkak të rënies së sipërfaqes malore dhe rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e dheut.
Shërbimet e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të bllokuar zonën dhe kanë këshilluar banorët të mos kryejnë asnjë veprim tjetër që mund të vërë në rrezik jetën e tyre apo të personave të tjerë. Policia apelon për respektimin e masave të sigurisë deri në stabilizimin e situatës.