Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Lecce të Italisë, me tematikë zgjerimin e Bashkimit Europian dhe përfitimet për qytetarët dhe bizneset, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Raffaele Fitto, vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sipas Fitto-s, këto dy vende ndodhen në pararojë të procesit të zgjerimit krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Zëvendëspresidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit përmes programeve ndërkufitare, siç është programi Interreg që lidh Pulinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ai shtoi se zgjerimi i unionit është një domosdoshmëri për forcimin e projektit europian përballë konkurrencës globale nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se një Bashkim Europian me 27 anëtarë nuk është më i mjaftueshëm për sfidat aktuale. Aktualisht, në proces janë 9 vende të interesuara për anëtarësim.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri. Ajo theksoi se qeveria shqiptare synon anëtarësimin në BE brenda vitit 2030 dhe se ky proces gëzon mbështetjen e 90% të popullsisë. Për më tepër, eurodeputetja Chiara Gemma njoftoi zhvillimin e një misioni të ardhshëm në Tiranë për të vëzhguar ecurinë e negociatave të anëtarësimit.