BBC ka publikuar një analizë mbi mënyrat se si mund të reagojë Irani ndaj ultimatumit 48-orësh të presidentit amerikan Donald Trump për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ky ultimatum u dha mbrëmjen e ditës së djeshme dhe ndriçon dilemat e Teheranit si dhe skenarët që mund të përcaktojnë zhvillimin e konfliktit.
Deri tani, Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me sulme ndaj infrastrukturave energjetike të lidhura me SHBA në Gjirin Persik. Megjithatë, ka lënë të hapur mundësinë e lundrimit të kontrolluar në ngushticë. Anijet që nuk lidhen me shtete armiqësore mund të kalojnë në mënyrë të sigurt, nëse koordinohen me autoritetet iraniane.
Sipas analizës, kontrolli mbi lundrimin është arma kryesore e Iranit në këtë konflikt. Heqja e bllokadës efektive të ngushticës do të nënkuptonte humbjen e presionit kryesor që ushtron Teherani. Një qytetar iranian e përshkruan situatën brenda vendit me fjalët: “Çfarë karte tjetër kanë për të luajtur?”, duke reflektuar ndërgjegjësimin se ngushtica është mjeti negociues kryesor i regjimit.
BBC vë në dukje se, nëse Trump zbatojë kërcënimin për sulme ndaj objektivave energjetike, pasojat për Iranin do të jenë jashtëzakonisht të rënda. Udhëheqësia iraniane ka treguar historikisht gatishmëri për të përballuar kosto të mëdha ekonomike dhe sociale për të ruajtur regjimin dhe vlerat e tij revolucionare. Vendi ka vuajtur sanksione shumëvjeçare nga Perëndimi dhe ka shtypur ashpër protestat e brendshme. Më parë këtë vit, mijëra persona u vranë në protesta kundër qeverisë, ndërsa këtë javë u ekzekutuan tre burra të akuzuar për vrasjen e policëve, në çështje që, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, u bazuan në rrëfime nën torturë.
Një skenar i mundshëm është që Irani të mos tërhiqet menjëherë, duke testuar kufijtë e kërcënimit amerikan. Teherani mund të shpresojë që presionet ndaj vendeve të Gjirit të çojnë në ndërhyrje diplomatike tek Uashingtoni për deeskalim.