Një investigim i BBC News ka zbuluar identitetin e vërtetë të kontrabandistit kryesor Kardo Ranya, emri i të cilit është Kardo Muhammad Amen Jaf, 28-vjeçar kurd irakian nga qyteti Ranya në Kurdistanin irakian. Rrjeti i tij besohet se ka organizuar shumicën e kalimeve ilegale me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar në vitet e fundit.
Gazetarët e BBC-së gjurmuan aktivitetin e tij nga kampet e emigrantëve në veri të Francës deri në Kurdistanin irakian, duke përdorur kontakte në botën e kontrabandës. Sipas Agjencisë Kombëtare Britanike kundër Krimit (NCA), rrjetet kurde nga rajoni i Ranyas kontrollojnë pjesën më të madhe të këtij modeli kriminal. Raporti i Chatham House të vitit 2024 e përshkruan rajonin si të mbushur me rrjete aktive kontrabande.
Jaf reklamonte shërbimet në rrjetet sociale me video që premtonin jetë luksoze në Londër dhe dëshmi suksesi. Një ish-kontrabandist tha se rrjeti kërkonte 17 mijë euro për transportin e një emigranti nga Iraku në Britani, ndërsa për shërbim "VIP" çmimi arrinte 160 mijë paund për familje.
Autoritetet britanike raportuan se në 8 vite, 200 mijë emigrantë kaluan Kanalin Anglez me gomone. Udhëtimet shpesh kanë qenë fatale. BBC përmend rastin e Shwana-s, 24-vjeçar nga Ranya, i cili u zhduk në Kanalin Anglez kur gomonia me mbi 100 persona u fundos. Familjarët e tij e lidhin me reklamat e kontrabandistëve.
Në Ranya ekziston një muze për viktimat e emigracionit të paligjshëm, ku drejtuesi Bakra Ali ka marrë kërcënime nga kontrabandistët. Gazetarët kontaktuan Jaf-in drejtpërdrejt përmes WhatsApp-it; ai mohoi të ishte kontrabandist dhe pretendoi se vetëm këshillonte largimet nga Iraku. Një bashkëpunëtor i tij, Noah Aaron, u dënua në Francë me 10 vite burg për kontrabandë dhe pastrim parash.