Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) kanë dorëzuar të premten, më 13 shkurt 2026, në procedurë parlamentare një propozim-rezolutë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo nismë synon respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-krerëve të institucioneve të Kosovës, të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Rezoluta mbështetet në parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke riafirmuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut, siç përcaktohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike si dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.
Nëpërmjet saj kërkohet që proceset gjyqësore të zhvillohen në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar:
- prezumimin e pafajësisë;
- mbrojtjen efektive;
- gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit.
Rezoluta vlerëson kontributin e udhëheqësve institucionalë dhe pjesëtarëve të luftës çlirimtare të Kosovës në proceset e paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit. Ajo thekson se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, profesionale dhe e pavarur nga çdo ndikim politik.
Deputetët nënshkrues u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, të bashkohen me nismën dhe ta mbështesin rezolutën me votë. Kjo, në funksion të forcimit të parimeve universale të drejtësisë dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm. BDI, e drejtuar nga Ali Ahmeti, ka njoftuar për këtë iniciativë përmes një komunikate zyrtare.