Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm, të konvokuar nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti. Në këtë mbledhje u trajtuan zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, marrëdhëniet me partitë e tjera politike, si dhe takimi i paralajmëruar i liderëve, të thirrur nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Këshilli i Përgjithshëm vendosi me unanimitet që Ali Ahmeti të marrë pjesë në këtë takim, duke nënvizuar rolin e BDI-së si parti serioze, përgjegjëse dhe shtetformuese. Partia thekson se kultivon dialogun politik dhe angazhohet për konsensus rreth çështjeve thelbësore politike dhe ekonomike. Në kuadër të kompetencave statutare, Ahmeti do të hapë dhe trajtojë tema strategjike, si perspektiva evropiane, stabiliteti politik dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.
BDI u bën thirrje partive politike me vizion të ngjashëm, si dhe kapaciteteve intelektuale, shoqërore dhe profesionale, të bashkëngjiten formacionit të saj. Partia shprehet e hapur për inkorporimin e potencialit politik dhe intelektual në vend, me qëllim avancimin e politikave në interes të shtetit dhe qytetarëve pa dallim. Kjo thirrje drejtohet gjithashtu subjekteve politike, asociacioneve shoqërore dhe profesionale për të kontribuar në një shtet stabil, demokratik dhe të zhvilluar.
Emërime të reja në strukturat partiake
Në mbledhje u njoftuan emërime të reja në degët e BDI-së:
- Arlind Sejdini si kryetar i degës në Kërçovë;
- Evzal Arsllani në Vrapçisht;
- Arjan Muedini në Prespë;
- Hamza Jashari në Karposh.
BDI thekson përkushtimin për forcimin e strukturave të saj dhe adresimin përgjegjës të zhvillimeve politike në interes të qytetarëve dhe stabilitetit.
Sa i përket takimit të liderëve, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, e ka refuzuar pjesëmarrjen, duke deklaruar se nuk ulet në takim me kriminelë dhe nuk pranon shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike. Ndërsa kreu i Levica-s, Dimitar Apasiev, ka konfirmuar pjesëmarrjen, por me kërkesa specifike për demokratizimin e procesit zgjedhor. Vendimi përfundimtar për qeverinë teknike mbetet kompetencë e presidentit të shtetit.