Menduh Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), ka bërë homazhe tek varri i ish-liderit të partisë, Arbën Xhaferit, në ditëlindjen e tij të 78-të më 24 janar 2026.
Thaçi theksoi se Xhaferi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në politikën e Maqedonisë dhe më gjerë, ndërsa politika e tij shërben si udhërrëfyes për shqiptarët.
Gjatë kësaj vizite, Thaçi komentoi ftesën e Ali Ahmetit, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), për bashkimin e partive shqiptare në Aleancën Kombëtare për Integrim. "Jam i shokuar me prostitucionin politik të Ali Ahmetit, ai po i laritet Hristijan Mickoskit që ta marrë në qeveri. Ahmeti është kanceri i politikës shqiptare në Maqedoni, tashmë edhe me Ziadinin dhe Taravarin. Kjo piskamë, kjo dhelpër që i digjet bishti e që e ka emrin Ali Ahmeti duhet të dorëhiqet nga politika", deklaroi Thaçi.
Sa i përket shpresës për BDI-në në qeveri, Thaçi mohoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. "Nuk ka zgjedhje. Aliu gënjen. Askush nuk i ka premtuar asgjë, ai mendon se do të ketë shpresë për BDI-në, por më shpresë nuk ka", tha ai.
Deklaratat u raportuan nga Telegrafi Maqedoni.