Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar vizita zyrtare ku ka përcjellë mesazhe për respektimin e sundimit të ligjit dhe procedurave të rregullta nga institucionet e vendit. Në takimin me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u diskutua mbi nevojën për ruajtjen e karakterit shumetnik të institucioneve dhe respektimin e parimeve ligjore në vendimmarrje.
Sipas njoftimit nga Zyra e BE-së, Palatova ka kërkuar që të hetohen pretendimet për sjellje të pahijshme nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Po ashtu, Bashkimi Evropian ka tërhequr vëmendjen se çdo proces i rrënimit të objekteve duhet të kryhet duke ndjekur rigorozisht procedurat ligjore. BE-ja ritheksoi mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës, duke nënvizuar se përparimi në këtë rrugë kërkon përmbushjen e obligimeve nga ana e institucioneve vendore.
Në një takim të veçantë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti Eva Palatovën në një takim lamtumirës. Konjufca e falënderoi atë për angazhimin dhe kontributin në forcimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në këtë takim u riafirmua përkushtimi për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushat me interes të përbashkët.
Veç kësaj, Konjufca ka zhvilluar edhe një takim lamtumirës me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, për të vlerësuar bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen franceze në proceset e shtetndërtimit dhe integrimit evropian.