Kosova ka mbetur jashtë përfitimit nga paketa prej 171 milionë eurosh e Komisionit Evropian për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Kjo ndodhi për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore dhe bllokadës institucionale pas zgjedhjeve.
Bashkimi Evropian konfirmoi se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje (RGF) ka pamundësuar pagesat. "Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesën, pasi ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë ende nga fondet e RGF-së", thuhet në përgjigjen zyrtare të Komisionit Evropian për FrontOnline.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se Bashkimi Evropian shpreson zgjidhjen së shpejti të çështjes. Ai rikujtoi se Kosova ka përfituar së fundmi një ndihmë financiare prej 216 milionë eurosh, që përfshin programimin e fondeve të reja prej 181 milionë eurosh dhe vazhdimin e katër kontratave prioritare me vlerë 35 milionë eurosh.
Sipas Komisionit Evropian, lirimi i shumës së mbetur prej 205 milionë eurosh pritet në fillim të këtij viti. Kjo do të mundësojë rifillimin e kontraktimit të fondeve IPA 2021 (rreth 17 milionë eurosh), IPA 2022 (55.7 milionë eurosh) dhe projekteve të tjera të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, pas marrëveshjes mbi prioritetet e programimit.
Përditësime
WBIF miratoi projekte në vlerë 132 milionë euro, pjesë e 205 milionë euro të mbetur për Kosovën.
Kontratat prioritare prej 35 milionë euro synojnë të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët kosovarë.