Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kujtuar sot 27-vjetorin e fillimit të Konferencës së Rambujesë, më 6 shkurt 1999, duke e quajtur atë një moment vendimtar në historinë moderne të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hamza shkruan se në Rambuje Kosova foli dhe vendosi për vetveten për herë të parë, duke u rreshtuar në anën e paqes, lirisë dhe vlerave perëndimore. Ai thekson rolin udhëheqës të Hashim Thaçit si kryesues i delegacionit kosovar.
"Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës", thuhet në postimin e tij.
Hamza nderoi heronjtë e Kosovës dhe falënderoi aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit, duke theksuar se kjo nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e tyre.
Ai lidh perspektivën euroatlantike të Kosovës me drejtësinë për çlirimtarët në Hagë. "E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë", shkruan Hamza.