Më 9 shkurt 2026 ka nisur faza përmbyllëse e procesit gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar në Facebook, duke thënë se për më shumë se pesë vjet çlirimtarët, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kryesorë kanë qëndruar me dinjitet dhe argumente të fuqishme, duke rrëzuar akuzat një nga një.
Ai pret që drejtësia ndërkombëtare, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin përfundimtar. Hamza shkruan se besojnë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sepse besojnë në të vërtetën historike dhe luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Sipas tij, ky proces nuk përfaqëson vetëm një akt juridik, por është edhe një provë e ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës. Ai përfundon me thirrjen: "Kosova beson! Liri për çlirimtarët!".