Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas votimit të një deklarate në Kuvendin e Kosovës dhe një rezolute në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai theksoi se në momente të rëndësishme kombëtare kërkohet unitet i plotë institucional. “Dy kuvende, një qëndrim. Në emër të popullit, në mbrojtje të së vërtetës, historisë dhe sakrificës sonë”, shkroi Hamza, duke nënvizuar mbështetjen për ish-uddhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjykohen në Hagë.
Hamza përmendi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe të gjithë çlirimtarët në Hagë, duke thënë se ata “nuk janë vetëm”. Ai falënderoi deputetët e Kosovës dhe Shqipërisë që, sipas tij, folën zëshëm në mbrojtje të dinjitetit, krenarisë dhe vlerave të luftës së UÇK-së.
Hamza e cilësoi këtë si një moment reflektimi dhe bashkimi kombëtar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria.