Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar pas intervistës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhënë nga qendra e paraburgimit në Hagë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza vlerësoi kontributin historik të Thaçit, duke e cilësuar atë si një personalitet që ka shënuar një epokë për vendin. Sipas Hamzës, pavarësisht procesit gjyqësor, ish-presidenti ruan besimin në drejtësi dhe krenarinë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mesazhin e tij, kryetari i PDK-së shprehu bindjen se Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij do të kthehen në Prishtinë më datë 16 shtator. Hamza nënvizoi se një jetë e vënë në shërbim të lirisë dhe shtetit nuk mund të zhbëhet nga distancat apo proceset gjyqësore, duke shtuar se mbi një milion shqiptarë presin kthimin e tyre në atdhe si çlirimtarë. "Liria ka emër", shkroi ai.
Intervista e Hashim Thaçit, e cila nxiti këto reagime, u realizua për emisionin “Debat Plus” me moderatorin Ermal Panduri në RTV Dukagjini, ku ish-presidenti foli mbi rrugëtimin e tij si ushtar dhe rolin e tij në procesin e shtetformimit.