Bekim Jashari, biri i heroit Hamëz Jashari, ka ndarë në Facebook bisedën e fundit me babanë e tij, në rastin e Ditës së Epopesë së UÇK-së më 5 mars.
Biseda ndodhi më 3 mars 1998 në Prekaz, pak ditë pas masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, ngjarje që e kishte prekur thellë Hamëz Jasharin. Bekim Jashari e pyeti për gjendjen e armatimit dhe mori përgjigjen:
“Sa do të mund të qëndrojmë, nuk e di, se ata kanë me na sulmu me krejt çka kanë. Por një gjë po ta them: Qysh ka thënë Tahir Meha, kur të vdes unë, kanë me shkru shtatë gazeta… Unë po të them, ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu.”
Bekim Jashari shton se kjo profeci u realizua. Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz tronditi ndërgjegjen e botës demokratike dhe bëri të pamundur fshehjen e së vërtetës për Kosovën. Në të njëjtën kohë, ajo zgjoi dhe bashkoi popullin e Kosovës, i cili u mobilizua drejt luftës çlirimtare.
Ai nënvizon se rruga ishte e dhimbshme dhe plot sakrifica, por e drejtë, që u kurorëzua me lirinë dhe çlirimin e vendit. Postimi përfundon me fjalët: “Ky ishte çmimi i lirisë sonë”. Ai shton gjithashtu: “Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.”