Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi gjatë një konference për shtyp lidhjet e dyshuara mes krimit të organizuar dhe sektorit të ndërtimit në jug të Shqipërisë. Berisha deklaroi se, pas operacionit të fundit të SPAK ndaj grupit të Dritan Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Shpëtim Aliut, janë zbuluar investime në bregdet që dyshohet se shërbenin për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Sipas dokumenteve të cituara nga Berisha, në qendër të kësaj skeme qëndron Isa Aliu, i cili akuzohet për menaxhimin e pasurive të lidhura me grupin e trafikantëve. Një ndër projektet e sekuestruara nga autoritetet është hoteli "Zig-Zag" në Jalë, një investim me pesë yje dhe mbi 200 dhoma. Ky objekt po zhvillohej nga kompania Seaview Development, e cila sipas denoncimit, është e lidhur me Aliu Road House.
Berisha ngriti pikëpyetje mbi çmimin e blerjes së tokës, duke pretenduar se mbi 15 mijë metër katrorë në zonën e Jalës janë blerë për vlerën prej 54 mijë eurosh. Në këtë investim është përmendur gjithashtu bashkëfinancimi në masën 40 përqind nga shoqëria Navalno Group, ndërsa leja e ndërtimit është lëshuar nga Agjencia për Zhvillim të Territorit (AZHT).
Kreu i PD-së kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të thellojnë hetimet për këto transaksione, duke i cilësuar ato si pjesë e një strategjie për pastrimin e parave të krimit përmes projekteve të mëdha në turizëm dhe ndërtim në bashkinë e Himarës.