Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, u paraqit paraditen e të hënës, më 16 shkurt 2026, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) për zbatim të masës së sigurisë "detyrim paraqitje" në kuadër të dosjes Partizani.
Para godinës së SPAK-ut, ai u prit nga disa mbështetës. Në bisedë me ta, Berisha shënjestroi kryeministrin Edi Rama për vizitën në Bashkinë e Durrësit, ku u takua me banorë të prekur nga projekti TID, të cilët e kundërshtojnë prej kohësh.
"E patë si ja bënë fytyrën Edi Ramës në Durrës? O Gys, e thirrën, o Gys", u shpreh ai, duke iu referuar Ergys Agasit, të shpallur në kërkim nga SPAK për çështjen e AKSHI-t, ku akuzohet për veprim si grup i strukturuar kriminal në bashkëpunim me të pandehur të tjerë.
Berisha përballet me akuzën për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë në dosjen Partizani. Si ish-kryeministër, ai akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Gjithashtu, Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrim parash. Për Xhimi Begeja, ortak të Malltezit, dhe të tjerë, prokuroria ka ngritur akuza për përfshirje në skema pastrimi parash.