Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, është ndaluar nga autoritetet në Portugali nën dyshimin për posedim të paligjshëm të një arme zjarri. Ngjarja ka ndodhur në aeroportin e Tires, në Cascais, pranë Lisbonës, pasi avioni privat i 95-vjeçarit u ul në aerodrom. Sipas raportimeve të medias portugeze “Correio da Manhã”, gjatë një kontrolli rutinë nga policia e aeroportit, në bagazhin e tij është gjetur një armë gjahu.
Autoritetet portugeze, përkatësisht Policia e Sigurisë Publike (PSP), deri në këto momente nuk kanë bërë një njoftim zyrtar për të sqaruar statusin ligjor të Ecclestone apo nëse ai do të përballet me procedura gjyqësore. Hetimet në lidhje me këtë incident mbeten në vijim.
Ky rast shënon një përsëritje të një problematike të ngjashme për ish-drejtuesin e cirkut të Formula 1. Në maj të vitit 2022, ai u ndalua në aeroportin e São Paulo në Brazil, ndërsa po përgatitej të udhëtonte drejt Zvicrës. Asokohe, policia gjeti një pistoletë LW Seecamp .32 të paregjistruar në bagazhin e tij. Ecclestone pranoi pronësinë e armës, por deklaroi se nuk kishte dijeni për praninë e saj në valixhe. Pas pagesës së një garancie, ai u lirua dhe u lejua të vazhdonte udhëtimin. Ecclestone drejtoi aspektet komerciale të kampionatit botëror të automobilizmit për dekada me radhë, përpara largimit të tij pas blerjes së Formula 1 nga Liberty Media në vitin 2017.