Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi” dhe arrestoi provizorisht shtetasin Ardit Isufi, 45 vjeç, te rrethrrotullimi i Shëngjinit. Arrestimi u bë me qëllim ekstradimin e tij në Spanjë, ku autoritetet gjyqësore në vitin 2025 i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me armë”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pronës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, siguruan informacion në rrugë operative për vendndodhjen e tij. Informacionet u shkëmbyen me Interpol Madrid nëpërmjet Interpol Tirana.
Gjatë verifikimeve, rezultoi se 45-vjeçari drejtonte një automjet tip “Benz” me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar. Si prova materiale u sekuestruan automjeti dhe dokumenti i falsifikuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët spanjollë për të finalizuar procedurën e ekstradimit.