Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë finalizuar më 28 shkurt 2026 operacionin policor të koduar „Alert”, duke arrestuar shtetasin J. B., të njohur gjithashtu si Juli Bulla, 53 vjeç, banues në Vlorë. Ai u lokalizua dhe u kap në aksin rrugor Elbasan–Peqin, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor.
Shtetasi kërkohej nga autoritetet spanjolle për veprat penale „Trafik i lëndëve narkotike”, „Organizatë kriminale” dhe „Vjedhje e energjisë elektrike”. Ndaj tij, Gjykata Juzgado Central de Instrucción n.º 1 – Audiencia Nacional ka caktuar masën e sigurisë „Arrest me burg”. Kodi Penal spanjoll parashikon për këto vepra dënim maksimal deri në 9 vite burgim.
Interpol Tirana do të zhvillojë procedurat e nevojshme, në bashkëpunim me homologët spanjollë, për ekstradimin e tij drejt Spanjës. Operacioni u bazua në informacione të siguruara në rrugë operative për lokalizimin e personave në kërkim ndërkombëtar.