Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e 60-vjeçarit Mevlan Troka. Arrestimi i tij është kryer për qëllime ekstradimi, pasi shtetasi në fjalë rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Spanjës.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Gjykata e Madridit kishte lëshuar një urdhër-arresti për këtë shtetas, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, bazuar në legjislacionin penal spanjoll.
Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin për të përmbyllur procedurat ligjore të nevojshme për ekstradimin e Mevlan Trokës drejt Spanjës, ku ai pritet të përballet me akuzat e ngritura nga drejtësia spanjolle.