Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” u mblodh sot para Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë për të protestuar kundër skemës kombëtare 2026.
Protestuesit mbajtën pankarta me thirrje si:
- "Bojkotoni ushqimin serb",
- "Kontribuo të ushqehemi shëndetshëm",
- "Naftë pa taksa",
- "Ulja e çmimit të qumështit nga përpunuesit në kohë lufte është antikombëtare",
- "Duam të punojmë dhe jetojmë me dinjitet",
- "Bojkotoni fermat serbe",
- "Duam ministri bujqësie jo propagandë",
- "Stop importit të qumështit",
- "Formalizoni tregun e bulmetit",
- "Bojkotoni firmat serbe",
- "Duam subvencione, naftë si jahtet".
Ata theksuan se nuk kanë dalë për politikë, por për të drejtat e tyre. Sipas tyre, skema 2026 nuk i mbështet, nuk është ajo që u diskutua me ta dhe kostot janë të larta, veçanërisht për naftën dhe ushqimin e bagëtive.
Kërkesat kryesore përfshijnë:
- subvencione si në rajon, ku Shqipëria ka 7-8 herë më pak;
- subvencione për naftën si për jahtet ose rregullim të taksës së qarkullimit;
- rritje të mbështetjes për blegtorinë;
- bllokim të importit që konkurron prodhimin vendas;
- ngritje të një laboratori për sigurinë e produkteve;
- bord për produktet e shportës për të konkurruar me fermerin e rajonit dhe Evropës;
- luftë kundër informalitetit dhe TVSH-së të pabarabartë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, do të presin në zyrë 10 fermerë nga Shkodra, Fieri, Lushnja, Korça dhe Gjirokastra për të diskutuar kërkesat në Ministrinë e Bujqësisë.