Për shkak të punimeve për montimin e trarëve tërthorë në kuadër të projektit "Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)", Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka vendosur kufizime të përkohshme të qarkullimit në të dyja krahët e këtij aksi rrugor.
Detajet e devijimeve
Në datën 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, qarkullimi do të bllokohet në drejtimin Tiranë–Durrës. Trafiku do të devijohet përmes rampës për në Rinas, duke vijuar në rrugën dytësore për t'u rikthyer më pas në superstradë. Për mjetet e rënda, si kamionët, devijimi do të nisë që nga rrethrrotullimi i “Casa Italia”, për të parandaluar dëmtimin e rampës provizore të Rinasit.
Në datën 22 shtator, gjatë të njëjtit interval orar (23:00–05:00), bllokimi do të aplikohet në drejtimin Durrës–Tiranë. Trafiku do të orientohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vazhduar në rrugën dytësore (krahun e majtë) deri pas mbikalimit të Kasharit, ku mjetet mund të rikthehen në autostradë. Mjetet me destinacion Rinas, Shkodër dhe Kosovë do të sinjalizohen për të ndjekur këtë itinerar që në mbikalimin Kashar–Thumanë.
ARRSH kërkon bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për këto kufizime. Shoferëve u rekomandohet planifikimi paraprak i itinerarit dhe shmangia e këtij segmenti gjatë orareve të punimeve.