Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, më 17 shkurt 2026, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, mbrojti projektligjin e propozuar nga grupi parlamentar i kësaj force politike. Nisma synon mbrojtjen e shëndetit publik dhe jetën e konsumatorëve shqiptarë nga produktet e skaduara dhe të kontaminuara.
Sipas Blushit, projektligji nuk ka karakter politik, por adreson problematikat e sigurisë ushqimore, të evidentuara edhe në progres-raportin e vitit 2025 për Shqipërinë. Ai e cilësoi situatën si emergjencë kombëtare, duke argumentuar se gjatë dekadës së fundit kanë munguar masat për të frenuar hyrjen në treg të këtyre produkteve.
Deputeti deklaroi se tregu shqiptar është përmbytur nga produkte të pasigurta. Ai përmendi raste të mishit me salmonelë të importuar nga Brazili, si dhe miell të kontaminuar nga Serbia dhe Rusia. Produktet që në vendet e Bashkimit Europian do të asgjësoheshin, përfundojnë në tregun shqiptar, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Blushi theksoi se, sipas raportimeve zyrtare, çdo vit regjistrohen mbi 7 mijë raste të reja të sëmundjeve tumorale, të cilat, sipas mjekëve, favorizohen nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me pesticide dhe substanca të dëmshme.
Projektligji do të ndihmonte edhe fermerët shqiptarë të ndershëm. Mungesa e laboratorëve të specializuar ka penalizuar eksportet e produkteve bujqësore, si mandarinat, pjeshkët dhe luleshtrydhet, të kthyera nga vendet e BE-së për nivele të larta të pesticideve.
Ai kritikoi nivelin e financimit të bujqësisë, me rreth 50 milionë euro të parashikuara për këtë vit, dhe problematikat me fondet IPARD, që kanë penalizuar fermerët. Në përfundim, Blushi u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit të votojnë pro projektligjit, duke e cilësuar si nismë në mbrojtje të interesit publik.