Kuvendi zhvilloi seancën e radhës plenare më 27 janar 2026, me 19 projektligje në diskutim dhe 22 pika në rend dite.
Deputeti Luçiano Boçi, njëkohësisht nënkryetar i PD-së, akuzoi mazhorancën dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi për ngarkesë të paarsyeshme. Ai vlerësoi se kjo e bënte Kuvendin jofunksional dhe propozoi shtimin e seancave për shqyrtim më të kujdesshëm të projektligjeve.
"Ky Kuvend po kthehet në hapësirë të çmendur. Ky parlament po bëhet i çmendur dhe qesharak. 19 projektligje brenda një seance është sa për të kaluar radhën, sa për të gënjyer shqiptarët. Kjo është për ta bukos parlamentin, për t’i marrë frymën, ky nuk është Parlament. Le të shtojmë seancat e t’i kalojmë me radhë. Projektligjet për dhunën, për median etj., të gjitha duan debat", deklaroi Boçi.
Ai theksoi se kërkesa për shtim seancash ishte ngritur edhe në Konferencën e kryetarëve. "Shtoni seancat, ka qenë kërkesë edhe e jona në Konferencën e kryetarëve, mos e çmendni këtë parlament".
Pas tij foli kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili mori parasysh shtyrjen e diskutimit të disa projektligjeve për shkak të mungesës së diskutimeve të mjaftueshme.